Zgjedhja e Ilmi Selamit – ngjarja bindshëm më e pastër në muajin mars
19.04.2010 Zgjedhja e kryetarit
të ri të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit është ngjarja
bindshëm më e pastër në mars të këtij vit, përderisa i pari në mesin e
ngjarjeve të turbullta është mospublikimi i lartësisë së borxhit që shteti e ka
ndaj sektorit privat.
Kështu votuan 16 kryeredaktorë të mediumeve
elektronike dhe të shtypura në Maqedoni, të cilët morën pjesë në anketën mujore
„Pastër-Turbullt“ të Agjencisë së lajmeve Makfaks dhe të organizatës
joqeveritare „Transparencë zero korrupsion“.
Me 15 vota zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit
shtetëror për parandalimin e korrupsionit Ilmi Selami dhe premtimi se
antikorrupsionerët do të punojnë në mënyrë transparente dhe për çrrënjosjen e
parregullsive të përmendura në raportin e Komisionit Evropian, është shpallur
ngjarja më e pastër.
Vetëm një votë për ngjarje të pastër morën
stërvitjet për parandalimin e larjes së parave, që i organizon Drejtoria për
parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit.
Më së shumti, gjithsej shtatë vota, për ngjarje të
dyshimtë fitoi mospublikimi i lartësisë së borxhit që institucionet shtetërore
e kanë ndaj sektorit privat. Biznesmenët në mars kërkuan nga Qeveria të dalë me
shifrat e sakta të borxhit të ndërsjellë, ndërsa sipas informatave të pavërtetuara
borxhi i shtetit ndaj ekonomisë ka arritur 100 milionë euro.
Në vendin e dytë në mesin e ngjarjeve të
turbullta, me pesë vota u gjet rasti me gardistët – kriminelë, prej të cilëve
njëri është i dyshuar për vrasje, ndërsa tjetri për plaçkitje, që i hapë
dilemat për mënyrën e punës së pjesëtarëve të forcave elite të sigurisë.
Parregullsitë dhe shpenzimet joekonomike të parave
në Agjencinë për investime të huaja, të përcaktuara nga revizioni shtetëror u
has në vendin e tretë në mesin e ngjarjeve të turbullta në mars të këtij viti.
Në anketën „Barometër dhe korrupsion“, që prej
vitit 2005 e zbatojnë agjencia e lajmeve Makfaks dhe organizata joqeveritare
„Transparencë zero korrupsion“, në muajin mars morën pjesë redaktorët e
televizioneve А1, Kanal 5, Telma, Alfa TV, Nasha TV, Alsat dhe gazetat
Utrinski vesnik, Dnevnik, Vest, Nova Makedonija, Globus, Kapital, Fokus, Lajm,
Biznis dhe Forum.